Banka e Shqipërisë njoftoi sot se ka vendosur që të rrisë normën bazë të interesit. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së. “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
- të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 3.25%;
- të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e çuar atë në nivelin 4.25%;
- të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë në nivelin 2.25%” tha Sejko.
Guvernatori i BSH-s, Gent Sejko u shpreh më tej se inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 4.1% në tremujorin e tretë, duke vijuar trendin rënës të ndjekur gjatë dy tremujorëve paraardhës.
“Reduktimi i inflacionit gjatë këtij tremujori pasqyroi – më së shumti – rënien e inflacionit të ushqimeve. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i qëndrueshëm, ndërkohë që tensionet e shtuara gjeopolitike kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës” tha ai.