Provinca Françeskane ka reaguar në lidhje me konfliktin e pronësisë te Kepi i Rodonit, që çoi pas hekurave 8 persona, mes tyre ish-deputetin socialist Mark Frroku.
Në një deklaratë, Provinca Françeskane thotë se tokën e kanë përfituar me një vendim gjykate në vitin 2008, ndërsa thekson se distancohet nga dhuna.
Po ashtu sqarohet se ishte marrë leje dhe ishin vënë në dijeni strukturat që toka në fjalë do të rrethohej nga ana e Provincës Françeskanë.
Pjesë nga deklarata:
– Policia e Manzës ka shkuar në mëngjesin e datës 29.10.2023 në hyrje të Kepit të Rodonit, pasi ishte njoftuar për ndërtim pa leje. Punonjësit e firmës AML Group shpk që po kryenin punimet aty, anë sqaruar Policinë e Manzës duke i vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm dhe pasi u vërtetua se nuk bëhej fjalë për punime pa leje dhe se informacioni ishte i pasaktë, policia është larguar.
– Pas largimit të policisë, disa persona të identifikuar si familjarë të shtetasit Bajram Kaculi, kanë sulmuar me mjete të forta punëtorët e shoqërisë, e cila po zbatonte kontratën e sipërmarrjes. Për t’i ndarë ata, ka ndërhyrë një punonjës i Provincës i cili është dëmtuar dhe është dërguar me urgjencë në spital.
– Provinca Françeskane, ka përfituar pronësinë në territorin e Kepit të Rodonit me Vendimin nr. 416 datë 31.01.2008 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës dhe nuk ka pasur konflikt me asnjë shtetas. Për pronësinë e pasurisë nr.30/6 ka paraqitur pretendim një shtetas i katundit Shetaj. Normalisht për një pretendim të tillë ai shtetas duhet t’i drejtohet gjykatës, pasi kjo pasuri është regjistruar nga Provinca që në vitin 2008, ndërsa ky shtetas e ka të regjistruar në vitin 2019.