Fotoja e hartës e publikuar nga gazeta greke “Protothema”
Grekët nuk i ndalin pretendimet territoriale. Ditën e sotme një nga gazetat greke, “Protothema” ka publikuar një shkrim me titull “Protokolli i Korfuzit dhe vullnetarët kretanë në luftën separatiste të Vorio Epirit”. Artikulli flet për të ashtuquajturin Vorio Epir dhe shtetin shqiptar e cilëson krijim artificial që i detyrohet Italisë dhe Austrisë. “Molla e sherrit” mbi bazën e të cilës media greke ka ndërtuar pretendimet niset nga rasti i arrestimit të Fredi Belerit ku akuzojnë Edi Ramën, që thonë se po e ndalon arbitrarisht në qeli për blerje votash.
Pjesë nga shkrimi në gazetën greke “Protothema”;
Shqipëria si shtet lindi nga dëshira e Italisë dhe Austro-Hungarisë për të dominuar Adriatikun. Shqipëria ishte “mollë sherri” për të dy vendet. Pas Luftës së Parë Ballkanike, rivaliteti i tyre u intensifikua.
Greqia, Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi pushtuan Perandorinë Osmane duke aneksuar shumë territore. Shqiptarët jo vetëm që nuk luftuan në anën e katër aleatëve, por u bashkuan me Perandorinë Osmane duke luftuar ashpër kundër popujve të tjerë ballkanikë.
Kufijtë u vizatuan në një hartë austriake pa marrë parasysh asnjë faktor historik, kombëtar apo tjetër. Himarjotët, një makth për osmanët gjatë viteve të sundimit turk, nuk e pranuan atë, duke kërkuar të bashkoheshin me Greqinë: “Bashkim ose vdekje” ishte motoja e tyre.
Protokolli i Korfuzit u nënshkrua më 4/17 maj 1914. Kjo i dha fund konflikteve të armatosura midis grekëve dhe turqve. Epiri i Veriut po fitonte zyrtarisht autonominë e tij.
Qeveria shqiptare do të kishte të drejtë të emëronte dhe shkarkonte qeveritarët dhe funksionarët e lartë të rajonit, ndërkohë që rekrutimi i vendasve në Xhandarmëri dhe ndalimi i njësive ushtarake jovendase u bë i detyrueshëm.
Në shkolla do të mësohej gjuha greke, por në tre klasat e para do të mësohej edhe shqipja. Megjithatë, mësimi fetar do të bëhej vetëm në greqisht, ndërsa Fuqitë e Mëdha do të siguronin respektimin e kushteve të Protokollit të Korfuzit.
Para se të zbatohej Protokolli i Korfuzit, shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Edhe pse nuk u shfuqizua nga asnjë traktat i mëvonshëm, ky Protokoll jo vetëm që nuk u zbatua kurrë, por përkundrazi u anashkalua vazhdimisht nga shqiptarët.
Për 110 vjet, asnjë qeveri greke nuk ka bërë asgjë thelbësore për zbatimin e tij. Dhe sot kemi arritur në pikën që basketbollisti, kryeministri Edi Rama po ndalon arbitrarisht në burgjet shqiptare kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri dhe Greqia mjaftohet me protesta të vakëta…
Nëse ekziston një shtet artificial në botë, është Shqipëria, e cila i detyrohet ekzistencën e saj Italisë, në radhë të parë dhe Austrisë së fortë, të para Luftës së Parë Botërore.
Në takimin e tij me himarjotët më 17/3/1914 përfaqësuesi italian Leoni tha: “Unë shoh që jeni shumica e popullsisë, por Italia nuk do t’ju lërë kurrë të bashkoheni me Greqinë.