Në hijen e paketës së zgjerimit, të mërkurën në Bruksel, Komisioni Evropian (KE) ka miratuar planin ambicioz për rritje ekonomike në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Për ta promovuar këtë plan, edhe para se ai të miratohet, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, kishte udhëtuar para një jave në vendet e rajonit.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument ku shpalosen planet se si të ndihmohen vendet e Ballkanit Perëndimor që të arrihet një konvergjencë (përafrim) në zhvillimin ekonomik me Bashkimin Evropian (BE) dhe në këtë mënyrë, të bëhen gati më shpejt për t’u anëtarësuar në union. Plani i miratuar të mërkurën nga KE-ja përmban një varg propozimesh për integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në shumë politika dhe programe të BE-së edhe para se të bëhen anëtare formale të bllokut.
Për t’i realizuar qëllimet e këtij plani të rritjes, Komisioni Evropian ka propozuar edhe një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027.
Sipas planit, nga kjo shumë deri në 2 miliardë eurosh do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.
“Konvergjenca ekonomike është element thelbësor për t’i sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian. Në këtë moment, shpejtësia e konvergjencës mes vendeve të rajonit dhe BE-së, dhe niveli i saj nuk është i kënaqshëm – as në aspektin ekonomik e as në atë të reformave. Kjo po e pengon përparimin e tyre në rrugën drejt BE-së”, thuhet në këtë raport.