Shtetet e Bashkuara raportohet se kanë sulmuar një magazinë armësh në Siri këtë të mërkurë.
Pentagoni tha se objekti përdorej nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe grupet e lidhura me to.
Kjo shënon dhe herën e dytë brenda një jave që forcat amerikane ndërmarrin sulme të tilla.
Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha përmes një deklarate se sulmet u kryen nga dy avionë luftarakë amerikanë F-15 dhe ishin reagim ndaj sulmeve të fundit kundër forcave amerikane.
Ky i fundit shtoi gjithashtu se sulmet kundër forcave amerikane duhet të ndalen.
“Nëse vazhdojnë sulmet kundër forcave amerikane nga grupet e lidhura me Iranin, ne nuk do të hezitojmë të marrim masa të tjera të nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë”, shtoi zoti Austin.
Shtetet e Bashkuara kanë 900 trupa në Siri dhe 2500 të tjera në Irakun fqinj, me një mision për të këshilluar dhe ndihmuar forcat lokale që përpiqen të parandalojnë rilindjen e Shtetit Islamik, i cili në vitin 2014 mori një pjesë të madhe në të dy vendet, por më vonë u mund.
Ekziston një shqetësim në rritje se konflikti Izrael-Hamas mund të përhapet në Lindjen e Mesme dhe bazat amerikane të bëhen objektiva sulmesh.