Ditën e arrestimit të kreut të kompanisë “Bello” Dritan Rexhepi nga policia turke në një kompleks rezidencial në Stamboll, një shqiptar është vrarë me armë zjarri në Guajakil të Ekuadorit.
Sot u arrestua bosi Dritan Rexhepi, vritet shqiptari në Ekuador
Mediat ekuadoriane raportojnë se 53-vjeçari shqiptar Arjanit Rizaj është ekzekutuar me armë zjarri para spitalit “Luis Vernaza”, ku kishte shoqëruar bashkëshorten e tij dhe vetë po qëndronte brenda një automjeti të parkuar.
Banorët dhe disa shitës të zonës thanë për autoritetet se në drejtim të shqiptarit është qëlluar nga një motoçikletë e bardhë me të cilën po lëviznin dy persona. Ata u larguan në drejtim të paditur pasi kryen vrasjen.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia Kombëtare, vrasësit kanë përdorur një armë zjarri të kalibrit 9 milimetra.
Fillimisht Rizaj u dërgua në urgjencën e spitalit “Luis Vernaza”, e më pas në klinikën “Panamericana”, ku mjekët tentuan ta mbanin në jetë, por plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit ishin të rënda duke i shkaktuar vdekjen.