Ish-ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, Karel Schwarzenberg njëri prej figurave kryesore të vendit në kohën pas komunizmit ka vdekur të dielën në moshën 85-vjeçare, njoftuan zyrtarët çekë.
Schwarzenberg e kishte mbështetur pavarësinë e Kosovës edhe para se ajo të shpallej nga Prishtina zyrtare në shkurt 2008, ndërsa ishte ministër i Jashtëm kur Çekia e njohu atë në maj 2008.
Schwarzenberg kishte shërbyer dy herë si ministër i Jashtëm i Çekisë mes viteve 2007 dhe 2013 dhe në Kosovë shihej si një mik i vendit.
Në janar të vitit 2008, një muaj para së Kosova të shpallej e pavarur, Schwarzenberg kishte thënë se “në një kohë të duhur Çekia do ta përkrahë deklaratën e pavarësisë së Kosovës.”
Më vonë, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai kishte treguar vullnetin për ta njohur pavarësinë e saj.
“Ne do të shohim se sa vende evropiane do ta njohin Kosovën, dhe se si do të sillet Qeveria e Kosovës. Ne do ta marrim vendimin bazuar në këto fakte. Për këtë arsye nuk do të përmend ndonjë datë në veçanti ne do të punojmë me fakte, dhe jo data,” kishte thënë ai më 19 shkurt të vitit 2008.
Vendimi i tij ishte kundërshtuar nga disa parti politike, përfshirë edhe ish-presidentin Vaclav Klaus. Në fakt, edhe presidenti i atëhershëm i Çekisë, Millosh Zeman, e që konsiderohej si më i afërt me Rusinë, nuk njihej si mbështetës i pavarësisë së Kosovës.
“Por, shumica e popullit e ka pranuar pavarësinë. Kosova e pavarur nuk është problem për shumicën e çekëve,” kishte thënë Schwarzenberg në shkurt 2018.
Më 2019, ish-presidenti i çek Millos Zeman e kishte shqyrtuar mundësinë për ta tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, për çka ishte kundërshtuar nga Schwarzenberg./REL