Në qytetin e Fierit janë arrestuar 3 persona dhe 3 të tjerë janë në gjendje të lirë pasi mbi ta bie akuza për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Policia ka njoftuar ditën e sotme se janë arrestuar A. M., 30 vjeç dhe E. S., 37 vjeç, të dy banues në Fier, pasi nga kontrollet rezultoi se mbanin me vete sasi të lëndëve narkotike kokainë, si dhe fara të bimës narkotike cannabis sativa.
Dy të arrestuarit mbanin me vete gjithashtu 1 armë sportive, 1 peshore elektronike dhe shuma parash të pa deklaruara.
Në pranga ka përfunduar dhe O. P., 36 vjeç, banues në Divjakë, pasi u kap në Lushnjë, teksa shiste doza kokaine, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë ka nisur procedimi në gjendje të lirë për Y. V., 21 vjeç, banues në Fier, për shtetasin I. B., 18 vjeç, për një 17-vjeçar, banues në Lushnjë, pasi në 3 raste, u kapën në flagrancë, gjatë tentativave për të shitur hashash në qytetet ku banonin.