Pas rastit të vajzës që theu këmbën në kopshtin privat “Stinët” në Tiranë që rezultoi se ishte pa licencë, policia ngriti grupe të posaçme kontrolli për subjektet parashkollore për të verifikuar ligjshmërinë e veprimtarisë së tyre. Shërbimet e Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontrolle në 201 subjekte në të gjithë vendin dhe kanë kryer veprimet procedurale sipas ligjit për 81 subjekte, ku ka rezultuar se veprimtaria kryhej në kundërshtim me ligjin.
Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë, janë evidentuar 63 çerdhe dhe kopshte në të cilat kryhej veprimtari pa licencën përkatëse ose me dokumentacion të parregullt, nga këto: 40 në Tiranë, 11 në Durrës, 4 në Lezhë, 4 në Shkodër, 2 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër.
Policia njofton se për pronarët/administratorët e këtyre 63 subjekteve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të drejtorive vendore të Policisë kanë referuar materialet procedurale në prokuroritë respektive, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Punësimi i paligjshëm”, “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Për 18 subjektet e tjera që kryenin veprimtarinë në kundërshtim me ligjin, janë kryer verifikimet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me organet tatimore. Këto subjekte do të ndëshkohen me masa administrative, sipas shkeljeve të kryera.