Portieri Etrit Berisha ishte vendimtar edhe në barazimin në Moldavi, ku një pritje e tij vlejti sa një gol për kuqezinjtë.
Berisha pohoi pas ndeshjes se kualifikimi i parë në 2016-ën ka qenë më i vështirë, ndërsa arritja aktuale më e bukur
“Një ndjenjë fantastike, kemi bërë një rrugëtim shumë të gjatë dhe të mundimshëm. Mirëpo ia ka vlejtur gjithçka. I uroj gjithë çunat dhe gjithë shqiptarët se me të vërtetë pasi kemi bërë një gjë fantastike,” u shpreh fillimisht portieri Berisha.
Cili ka qenë rrugëtimi më i vështirë për t’u arritur, ku i 2024-ës, apo i pari në 2016-ën?
Me siguri sigurimi i kualifikimit të parë në Europian ka qenë më i vështirë, pasi kishim disa ekipe shumë të vështira dhe për të shënuar gol ishte shumë më e mundimshme. Kurse tani ishte më e thjeshtë, pasi kishim disa lojtarë që individualisht bëjnë diferencën Pastaj ekipi mori zemër edhe më shumë dhe ishte disi më e thjeshtë duke e siguruar kualifikimin një ndeshje para fundit. Kjo do të thotë që ishte më e bukur.
Vjet patëm pikën më të ulët me Kombëtaren, ndërsa tani kemi pikën më të lartë të kuqezinjve. Cili është sekreti sipas teje?
Sekreti mbi të gjitha është grupi. Kemi një grup që ka besuar shumë dhe kemi individë dhe lojtarë cilësor, të cilët mund të bëjnë diferencën. Patjetër kemi edhe një trajner që ka ditur ta menaxhojë shumë mirë grupin. Çdo lojtar ndihet i rëndësishëm . Çdo lojtar që futet në lojë është i sigurt për të bërë diferencën dhe kur kemi qenë në vështirësi ata që kanë hyrë kanë ndryshuar edhe rezultatin./Super Sport