Shqipëria siguroj kualifikimin për në Euro 2024, ai që do të zhvillohet në Gjermani vitin e ardhshëm. Vendi i parë në grupe dhe një Kombëtare e cila po dhuron emocione të pa përjetuara më parë.
Arkitekti i kësaj “mrekullie” është pikërisht trajneri Silvinjo, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka falënderuar të gjithë duke thënë ky është realizimi i ëndrrës së një kombi.
“Lumturi dhe krenari e madhe. Sigurimi i një vendi në “EURO 2024“ është padiskutim realizimi i ëndrrës së shumë njerzve, ëndrrës së një Kombi. Pjesëmarrja në një moment të tillë gëzimi për popullin shqiptar është një burim i jashtëzakonshëm kënaqësie.
Faleminderit e mija shkojnë për shumë njerëz: për futbollistët, të cilët kuptuan dhe mbështetën idetë tona dhe gjithmonë luajtën me shpirt dhe zemër. Për pjesëtarët e stafit teknik dhe administrativ, të cilët punuan intensivisht dhe u kujdesën për çdo detaj gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Për drejtuesit dhe punonjësit e Federatës, që kanë bërë gjithçka që puna jonë të bëhej në perfeksion.
Për fansat, për mbështetjen e tyre jetike brenda dhe jashtë shtëpisë sonë. Për familjen time, që janë baza e gjithçkaje që bëj dhe më japin mbështetje që të bëj punën time me dashuri dhe dedikim! Për këdo që direkt apo indirekt ka qënë pjesë e kësaj historie të mrekullueshme. “EURO 2024” është këtu tani” – shkruan Silvinjo në Instagram.