Seanca e sotme e parlamentit zgjati vetëm 5 minuta. Mes tymit, zjarrit dhe kaosit, shumica socialiste votoi projektbuxhetin dhe u largua duke mbyllur seancën. Për kaosin e krijuar, deputeti i PD-së, Arbi Agalliu që është në krahun e Lulzim Bashës nuk i kurseu akuzat për grupin e Sali Berishës.
“Sot parlamenti i Shqipërisë do duhej të zhvillonte seancën më të rëndësishme të këtij viti. Sot në Parlamentin e Shqipërisë do duhej të diskutohej mbi projektbuxhetin. Të diskutohej mbi shpenzimet marramendëse të kësaj qeverie ku shumica e tyre shkojnë për PPP e koncesione korruptive dhe aspak për hallet dhe problemet reale të qytetareve. Sot në parlamentin e Shqipërisë nuk u kuptua kush e ndizte flakën e kush e fikte flakën.
Në të vërtetë, shqiptarët tashmë e kanë kuptuar qartë se vetë e ndezin e vet e fikin, sepse disa kanë halle e probleme personale me drejtësine, sidomos me SPAKUN, e disa të tjere përfitojnë për të kaluar në vetëm 10 minuta dhe pa asnje diskutim, projekt buxhetin për vitin 2024.
Janë rreth 7 miliard euro të cilat janë parashikuar të shpenzohen në 2024. Asnjë hapsirë e lejuar në seancë plenare dhe në komisione parlamentare për të diskutuar lidhur me këto shpenzime. Arsyeja është e qartë se kush e pengon dhe se kush i jep oksigjen kujt. Një skenar i përbashkët bllokimi.
Partia Demokratike, distancohet fort nga dhuna dhe bojkoti. Partia Demokratike vijon në shërbim të qytetarëve, jo vetëm me dorëzimin e amendamenteve por edhe me denoncimin çdo ditë të këtij buxheti klientelist” tha ai.