Ditën e martë Instituti Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare prezantoi gjetjet e sondazhit kombëtar mbi perceptimet, tendencat dhe pritshmëritë e shqiptarëve mbi emigracionin.
Albert Rakipi, drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, e quajti valën aktuale të emigracionit si një kërcënim i sigurisë në vetvete, duke e krahasuar më dy valët e mëparshme të viteve ’90 dhe ’97, që ishin thjesht simptoma të një shteti të dobët.
“Për të parën herë, migracioni po kthehet në një kërcënim të sigurisë në vetvete. Vetëm përgjatë dekadës së fundit 400 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi”, tha Rakipi gjatë fjalës së tij.
Studimi me titullin: “Migracioni, shpopullimi dhe destabiliteti: kriza e heshtur”, i kryer në bashkëpunim me fondacionin Hanns Seidel Stiftung, gjatë muajit Prill përfshiu 1200 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe hedh dritë mbi dëshirat, aspiratat dhe planet e tyre në lidhje me emigrimin.
Gjetjet e studimit tregojnë një dëshirë të madhe të shqiptarëve për t’u larguar nga vendi nëse do u jepej mundësia.
“70% e të intervistuarve kanë deklaruar se do emigronin nga Shqipëria nëse do e kishin mundësinë, teksa 28% e tyre kanë menduar ta lënë përgjithmonë vendin”, tregojnë gjetjet e studimit.
“19% e atyre që kanë shprehur dëshirën për t’u larguar kanë shumë gjasa të largohen realisht brenda 12 muajve” theksoi autori i sondazhit Andi Balla.
Sondazhi zbuloi se prej arsyeve kryesore që i shtyn qytetarët shqiptarë të largohen nga Shqipëria drejt një destinacioni tjetër renditet “kërkimi për një jetë më të mirë”.
“49% e të intervistuarve janë shprehur se kërkojnë një jetë më të mirë, teksa arsyeja tjetër është ajo e të ardhurave financiare dhe e punësimit”, citojnë gjetjet e raportit.
Sondazhi gjithashtu tregon se 54% e të intervistuarve e shohin veten jashtë Shqipërisë në pesë vitet e ardhshme.