Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka dalë me vendimet në bazë të javës së fundit të zhvilluar në futbollin shqiptar.
Përpara derbit me Partizanin, i cili luhet në datën 3 dhjetor, Tirana ka marrë gjobë për sjellen e tifozëve dhe urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Air Albania”.
Paralajmërim edhe për trajnerin e Erzenit, për shkak të mos daljes në intervistën pas ndeshjes. Ndërkohe për sjelljet e dhunshme në fushë, ka dënime masive në futbollin e moshave.
Disa nga vendimet:
1.Zyrtari i FK Erzeni, Alfred Deliallisi në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së shkeljes të nenit 77 të Rregullores së Aktivitetit, duke refuzuar daljen në intervistë pas ndeshjes, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
- KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”, si dhe hedhjen e sendeve në fushë, në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/f të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
- Zyrtari i KS Besa, Jurgen Rrushi, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Zyrtari i KF Tërbuni, Bujar Mehaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Zyrtari i KF Partizani U-16, Aldo Duro, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.