Njëzet e katër persona kanë vdekur pasi u goditën nga rrufeja dhe 23 të tjerë janë plagosur në incidente të ngjashme në shtetin perëndimor indian të Gujarat gjatë dy ditëve të fundit, raportojnë mediat e huaja.
Shteti indian u përball me reshje të mëdha shiu me rrufe dhe breshër të dielën dhe të hënën.
Moti ka dëmtuar shtëpitë dhe ka çuar në ngordhjen e disa kafshëve në rajone të ndryshme të shtetit të Gujarat. “Së shpejti do të fillojmë një analizë për të vlerësuar shkallën e dëmit,” tha ministri i Bujqësisë i shtetit indian Raghavij Patel të hënën, duke shtuar se viktimat do të marrin kompensim bazuar në rezultatin e analizës.
Departamenti Meteorologjik i Indisë (IMD) ka parashikuar se shirat do të vazhdojnë në pjesë të Gujarat gjatë të hënës. Gujarat shpesh përballet me fatkeqësi natyrore.
Në gusht 2020, 14 persona humbën jetën në këtë shtet në vetëm dy ditë në incidente të lidhura me shirat e dendur dhe përmbytjet. Një vit më parë, në gusht 2019, 31 persona humbën jetën në shtet si pasojë e reshjeve intensive.