“Migrimi masiv ka bërë që Kukësi dhe fshatrat malorë përreth tij të etiketohen ‘qytetet fantazmë’ pasi shumë të rinj dhe familje janë larguar”. Kjo është hyrja e artikullit nga prestigjozia britanike ‘Daily Mail’ kushtuar emigracionit në Kukës, ku shumë të rinj janë larguar drejt Britanisë së Madhe.
sipas tyre dhe pse qeveria britanike ka akorduar 8.4 milionë paund për të inkurajuar kuksianët që të qëndrojnë në vendin e tyre, kjo gjë duket se nuk e ka frenuar largimin.
Për prestigjiozen britanike kanë folur të rinj kuksianë ndërsa edhe kryetari i ri Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj zotohet të shpenzojë një pjesë të madhe të parave për të bindur njerëzit që të kthehen duke ofruar taksa më të ulëta dhe grante për të ngritur biznese që lidhen me turizmin, megjithatë duket se nuk ju mbush dot mendjen të rinjve
Mes shumë intervistash gjatë artikullit, veçohet rrëfimi i Dardanit, 15-vjeçari shpjegon se sytë i ka nga Britania fill pas mbarimit të shkollës.
“Në Shqipëri nuk kemi punë Është një vend i varfër. Unë thjesht dua të shkoj në Angli sepse e di gjuhën kam anëtarë të familjes nga ana e nënës dhe babait, të cilët tashmë janë atje. Ndoshta do arrij me një kamion ose me varkë.
Do të më kushtojë mijëra euro, por mund t’i marr paratë hua dhe t’i kthej duke punuar. Dua të punoj në Angli si elektricist. Nuk dua të dëgjoj njerëzit që përpiqen të më bëjnë të qëndroj. Unë thjesht dua të shkoj” është shprehur adoleshenti gjatë intervistës.