Një grua dyshohet u gjet e vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të mërkure në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor që shkoi në vendin e ngjarjes. Policia tha se ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike. Sipas policisë në Prishtinë viktima u gjet rreth orës 20.20 brenda një veture.
Sipas mediave të Kosovës, viktima e identifikuar si Liridona Murseli është bashkëshortja e Naim Murselit, ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit kur mbante detyrën e Presidentit të Kosovës. Sipas të njëjtave burime, 33-vjeçarja mund të jetë grabitur dhe më pas është vrarë nga autorët.
Gazeta Sinjali ka raportuar edhe disa detaje nga rrëfimi i Naim Murselit, para zyrtarëve policorë për ngjarjen tragjike. Ai u ka thënë hetuesve se ndodhej bashkë me gruan dhe fëmijët në veturë, kur papritmas u kanë zënë pritë me një tjetër automjet disa grabitës, të cilët i plaçkitën. Murselit u ka thënë hetuesve policorë se grabitësit fillimisht u kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat.