Në Shkup po zhvillohet Samiti i OSBE-së, ku pjesëmarrës është edhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Por si arriti në Maqedoni, kush e lejoi të kalonte në hapësirën ajrore? Aeroplani me të cilin ministri rus i Punëve të Jashtme, Lavrov mbërriti në Shkup për Këshillin ministror të OSBE-së ka fluturuar mbi hapësirën ajrore të Turqisë dhe Greqisë dhe jo edhe të Bullgarisë, raportojnë mediat ruse.
Ndryshimi i linjës së fluturimit është për shkak të refuzimit të autoriteteve bullgare për të lejuar fluturimin e aeroplanit me zëdhënësen e MPJ-së ruse, Maria Zaharova për shkak se është e sanksionuar. Fluturimi ka zgjatur më shumë se pesë orë.
Zaharova njoftoi në Telegram se vendimi “…nuk është vetëm marrëzi, por marrëzi e rrezikshme e ndonjë shakaxhiu në strukturat e pushtetit në Bullgari”. Sipas saj, për herë të parë në histori autoritetet shtetërore ndaluan një person në aeroplan, jo një aeroplan, sepse, sipas vërejtjes së departamentit diplomatik bullgar, aeroplani i MPJ-së ruse ishte lejuar të fluturonte.
Ministri rus i Punëve të Jashtme, Lavrov mbrëmë arriti në Maqedoninë e Veriut që të marrë pjesë në Këshillin ministror të OSBE-së. Pjesëmarrja e shefit të diplomacisë ruse nuk ishte e sigurt për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë pas pushtimit ndaj Ukrainës, por pasi Bullgaria e hapi qiellin dhe lejoi fluturimin e aeroplanit qeveritar rus, ndërsa BE-ja bëri me dije se kjo nuk është shkelje e sanksioneve.
Për shkak të ardhjes së Lavrovit, pjesëmarrjen në takimin e OSBE-së në Shkup e anuluan ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitri Kuleba, shefat e diplomacive të vendeve baltike – Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, Margus Cahna, Krishjanis Karinsh dhe Gabrielius Landsbergis dhe ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Shimon Shinkovski vel Sek.