Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu doli nga seanca e gjyqit në themel për Gërdecin pas 7 orësh pyetje dhe dëshmi. Përsëriti edhe njëherë kërkesën e ndjesës për familjet e 26 viktimave. Akuzoi se çështja kundër tij duhet të ishte parashkruar.
“Unë erdha sot sepse kishte të bënte me dëshmitarë që kanë punuar me mua, kurse të tjerët nuk kanë pasur lidhje me punën e ministrit të Mbrojtjes. Erdha duke shprehur edhe njëherë ndjesën time të madhe për atë që u ka ndodhur familjarëve. Unë nuk e zhbëj dot më atë që ka ndodhur. Kërkoj ndjesë thellë.
Procesi duhet të jetë i ligjshëm. Mendoj se është shkelur pika e parashkrimit. Gjykata e Lartë ka thënë se një i dënuar që fshihet për t’i shpëtuar dënimit pas një kohe është i pafajshëm. Për mua për 10 vite nuk ka pasur asnjë akuzë penale. Kam qenë këtu dhe kjo shkelje është flagrante. Nuk ka pasur procedim penal dhe të mos kërkohet që të respektohet parashkrimi.
Së dyti me këshilltarët, si këshilltari i sigurisë së presidentit Obama, ministri gjerman dhe italian i Mbrojtjes dhe të tjerët që na kanë mësuar si bëhet demontimi. Këta janë shumë më relevant se disa njerëz që kanë punuar në Gërdec, apo shoferë që nuk kanë dijen për urdhrin e ministrit. Nuk ka asnjë moment që të jem njoftuar për probleme në Gërdec” tha ai.
Tha se nuk ka asnjë shkresë, urdhër apo vendim të tij si ministër në kundërshtim me orientimet e autoriteteve ushtarake. U pyet edhe për shkresën nga ministria e Drejtësisë me mbishkrimin “Për Shkëlzenin”, referuar djali të Sali Berishës.
“Nuk ka pasur nga ministria e Mbrojtjes, presupozohet se ka ardhur në ministrinë e Mbrojtjes. Unë nuk kam asnjë dijeni. Një ditë përpara faksit erdhi vendimi i ministrisë së Drejtësisë. Po të ishte ashtu do ta kishte njoftuar unë zotin Berisha.
Kjo tregon mos dijeninë time. Mund të pyesni ata që e kanë çuar. Unë nuk kam qenë në dijeni. Kjo nuk ndikon asgjë. Unë vendimin e kisha marrë. Kjo tregon mungesë të raportit tim me zotin Berisha (Shkëlzenin).
Unë kam pasur në ministri një drejtor që është quajtur Shkëlzen Madani, në pikëpamje të punës time nuk kam pasur lidhje me asnjë Shkëlzen tjetër.
Unë nuk kam ndikuar tek askush, më gjeni një urdhër, ndikim apo vendim në kundërshtim me shkresat e autoriteteve ushtarake. Ministri i Mbrojtjes nuk është ushtarak”.
Tha se nuk e dinte se ku binte Gërdeci. “Ne i kemi dërguar kërkesën për Bërzhitën, por shtabi tha se nuk është i sigurt. Ministri nuk ka qenë asnjëherë në Gërdec dhe nuk e dinte ku binte, dhe sot u tregua se vendi ka qenë propozim i shtabit i përgjithshëm”.
I pyetur për ish-shefin e shtabit të përgjithshëm, Luan Hoxha, tha se “unë nuk e di ku është zoti Hoxha, di që ka një vendim penal, është dënuar, ka ikur, dënimi është parashkruar. Unë nuk kam ikur, kam qenë këtu”.
“Në shpirtin tim rëndon”! Mediu kërkon ndjesë për “Gërdecin”: Vetëm përgjegjësi morale