Shqipërisë ju besua Europiani i vitit 2025 për moshat e reja vetëm pak javë më parë, e cila pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha sportive që pritet të zhvillohet në vendin tonë.
Katër janë stadiumet të cilat do të mirëpresin ndeshjet finale të këtij kompeticioni, “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”.
UEFA ka sjellë në Shqipëri një grup vlerësues, të cilët kanë zhvilluar vizitën e parë inspektuese në 4 qarqe të Shqipërisë ku do të luhen takimet finale.
Për zhvillimin e një kompeticioni të tillë kërkohen veç stadiumeve, edhe 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Shkodër-Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.
Delegacioni i UEFA-s, i shoqëruar nga disa përfaqësues të FSHF-së zhvilloi një tur në qytetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Rrogozhinës e Shkodrës, duke vlerësuar infrastrukturën, terrenet sportive dhe stërvitore si edhe hotelet ku do të akomodohen ekipet finaliste.
Në muajt në vazhdim do të ketë të tjera vizita inspektuese përpara se të të nisë puna në terren për përgatitjet e finaleve.