Euro e ka mbyllur javën me një rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 101.17 lekë, duke humbur 0.75 pikë krahasuar me një ditë më parë. Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 25 korrik të këtij viti. Tashmë, kursi ndodhet shumë pranë nivelit minimal historik prej 100.49 lekësh, që u regjistrua në 20 korrik të këtij viti.
Leku vazhdoi të forcohej edhe kundrejt valutave të tjera kryesore. Dollari Amerikan ra më tej në vlerën e 92.89 lekëve, niveli më i ulët që prej datës 2 gusht. Paundi Britanik u këmbye me 117.42 lekë, vlera më e ulët që prej datës 25 korrik.
Kursi i këmbimit tashmë është kthyer në mënyrë të papritur në vlerat e verës, kur prurjet valutore të lidhura kryesisht me turizmin sjellin një efekt të zakonshëm sezonal, që këtë vit ishte gjithsesi shumë më i fortë se kurrë më parë. Por, rikthimi në vlera të përafërta edhe në këtë periudhë të vitit dëshmon për një mbiçmim të monedhës vendase të mbështetur tashmë mbi faktorë më të qëndrueshëm se ata sezonalë.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e lartë e lartë e valutës, të ndërthurrur me një ofertë të pakët të monedhës vendase.
Prurjet e mëdha valutore këtë vit lidhen me shifrat rekord të turizmit hyrës, me nivelet e larta të investimeve të huaja, por edhe me një vit ta favorshëm për sektorin energjetik, i karakterizuar nga eksporte në rritje, sidomos në muajt e vjeshtës. Këto eksporte vlerësohet se kanë pasur një rol në rritje në ofertën për valutë gjatë muajve të fundit./ Monitor