Është zbardhur ngjarja e ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Lënie të Gramshit, ku humbi jetën një punëtor i një firme ndërtimi, për shkak të një dëmtimi të marrë nga një automjet i firmës.
Policia ka vendosur në pranga drejtuesin e kamionçinës së firmës K.H., 53-vjeç, pasi ky i fundit rezulton se ka kryer manovra gabuara me kamionçinën që ai drejtonte.
Manovra të rrezikshme më saktë të cilat dëmtuan rëndë dhe viktimën e kësaj ngjarjeje F.V., 51 vjeç, i cili fatkeqësisht humbi jetën teksa e transportonin për në spital.
Njoftimi i Policisë:
Nga hetimet e thelluara, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, menjëherë pas ngjarjes që ndodhi dje, në fshatin Lënie, ku humbi jetën shtetasi F. V., 51 vjeç, pasi u dëmtua nga automjeti i firmës ku punonte, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh arrestuan shtetasin K. H., 53 vjeç, banues në fshatin Mollas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Arrestimi i 53-vjeçarit u bë pasi rezultoi se gjatë procesit të punës për ndërtimin e një hidrocentrali, ka kryer manovra të gabuara me kamionçinën që drejtonte (automjet në pronësi të firmës së ndërtimit), dhe si pasojë është dëmtuar shtetasi F. V., 51 vjeç, i cili humbi jetën gjatë transportimit në spital.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti kamionçinë që dëmtoi shtetasin F. V.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.