“Të nderuar miq!
E kam mirëpritur ftesën e bërë nga Prof. Ksenofon Krisafi për të qënë pjesë e këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm i cili vjen në një kohë po kaq të rëndësishëm për Shqiptarët. Edhe pse shpesh thuhet që është shekulli i Shqiptarëve ai do të jetë i tillë vetëm nëse ne Shqiptarët do të dimë të jemi një zë i vetëm për interesat kombëtare. Jemi me fat që kemi aleat të fuqishëm në botë por kjo nuk mjafton, ne Shqiptarët pikë së pari duhet të pranojmë njeri tjetrin, mbështesim njeri tjetrin dhe duhet të kemi një qasje ndaj interesave tona kombëtare duke u sjellë si një të vetëm.
“Lidhja e Shqiptarëve në botë” vjen me një mision për kombin Shqiptar duke përfaqësuar interesat e kombit në tërësi pa harruar askënd sic ka ndodhur rëndom kohët e fundit. Ky është një mision i shenjtë por edhe përgjegjësi e madhe për të pëfaqësuar drejtë dhe me dinjitet shqiptarët. Personalitet që përfaqësojnë këtë organizatë janë një garanci për patur një zë pakompromis për interesat e Shqiptarëve. Është e rëndësishme të dalim nga patriotizmi folklorik dhe të kemi hapa konkret për sensibilizimin e çështjeve të mbetura të pazgjidhura për kombin tonë, e kam fjalën për çështjen Çame por edhe për Shqiptarët në Luginë.
Lugina është duke përjetuar një spastrim etnik nëpërmjet pasivizimit të adresave. Shqiptarët aty çregjistrohen nga regjistri themeltar(njëjtë me Gjendjen Civile ne Shqipëri) nëse gjatë vizitës së autoriteteve Serbe nuk gjenden në shtëpi. Shqiptarëve në Preshevë po u vështirësohet jeta çdo ditë. Në keto kushte Shqiptarët e Luginës detyrohen të lenë vendin e tyre duke humbur kështu çdo të drejtë për tu kthyer si pronarë të shtëpive të veta. E njëjtë kjo me çamët!
Të nderuar miq,
Tre ditë më parë festuam 111 vjetorin e pavarësisë dhe nuk kishte asnjë shenjë Çamërie në ceremonitë zyrtare në Tiranë. U harruan kontributet e Muharrem Rushitit, Veli Gërra-s, Jakup Veselit, Tahir Metes etj. Jo vetëm kaq por Çamëria ishte e papërfaqësuar në këto ceremoni zyrtare! Disa muaj me parë ceremoni zyrtare u organizuan në Kosovë në përkujtim të Lidhjes së Prizrenit, edhe aty asnjë shenjë Çamërie. Si mund të harrohet, Abedin Dino i madh dhe roli i tij në Lidhjen e Prizrenit dhe në mbrojtjen e trojeve shqiptare në jug që prej 1878? Si mund të mbetet e pa përfaqësuar Çamëria në ceremoni të tillë shtetërore? Lind pyetja: A e njohin organizatorët ne Tiranë dhe Prishtinë, Çamërinë??? Apo edhe për ta është e harruar njësoj si për grekët? Si mundet shtetet Shqiptare të kenë të njëjtën axhendë me Greqine, Heshtjen? Kjo është një heshtje kriminale! Kurrë shteti Shqiptar për 80 vjet nuk e ka ngritur çështjen çame në ndonjë institucion ndërkombëtar, duke e konsideruar këtë pjesë të kombit, inekzistente. Por edhe kjo nuk ka mjaftuar për të zbatuar projektin ogurzi Grek. Emri Çamëri është hequr nga tekstet shkollore këtu në Shqipëri e ndërsa në Kosovë dhe Maqedoni nxënësit nuk mësojnë asgjë për këtë pjesë të kombit Shqiptar. Dhe mos harroni që Greqinë e kemi partner strategjik ekonomik edhe pse zyrtarisht jemi në gjëndje lufte me të.
Të nderuar miq,
Për shkak të angazhimeve të mia udhëtoj shpesh në Kosovë dhe Maqedoni. Më vjen keq të
Konstatoj që Shqiptarët andej kufirit nuk e shikojnë Tiranën zyrtare si mbrojtëse të interesave të tyre tek e cila nuk gjejnë asnjë strategji kombëtare për zgjidhjen e problemeve të Shqiptarëve. Ata sot po kërkojnë aleanca të reja mes vetes duke iu larguar gjithmon e më shumë Tiranës zyrtare. Kjo është shumë e dëmshme për interesat kombëtare dhe rrezikon të aktivizojë projektin Çubrilloviç i cili për dobësimin e faktorit Shqiptar në rajon sugjeronte negocim vetëm me Tiranën duke injoruar Kosovën, Iliridën e çdo pjesë tjetër të kombit tonë. Unë do të inkurajoja Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mali Zi si dhe Shqiptarët e Çamërisë kurrësesi ti largohen Tiranës zyrtare por me forcën arsyes, të së vërtetës historike, të interesave të kombit tonë ti imponohet kësaj të fundit të respektoj kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mbrojtur interesat e çdo Shqiptari kudo në botë dhe kurrë mos të bëj kompromise në dëm të shqiptarëve qoftë kjo edhe duke heshtur.
Vëllezër dhe motra,
Shoqatat dhe organizatat me vokacion kombëtar nuk mund të marin dot rolin e shtetit por ama mund të bëjnë jo pak në drejtim të sensibilizimit për çështjen kombëtare. Në Europë na njohin pak sepse ne nuk kemi ditur të shprehim veten tonë, nuk kemi ditur të kërkojmë të drejtat tona, të protestojmë për këto të drejta. E kemi humbur territorin Shqiptar të Çamërisë por të mos humbasim të drejtat e Çamëve. Rrezikojmë që Lugina E Preshevës të kthehet në një Çamëri të dytë nëse sot heshtim. Nuk kam pare asnjë protestë përballë përfaqësive nderkombëtare ne Gjenevë, New York dhe Bruksel për Çamërinë apo Luginën për të sjellë në vemendje të faktorit ndërkombëtar spastrimin etnik të kryer në këto troje Shqiptare. Viti i ardhshëm është 80 vjetori i genocidit grek mbi Shqiptarët e Çamërisë dhe unë ju ftoj të organizohemi për një protestë të tillë për ti kujtuar botës që krimet e kryera ndaj popullsisë së pambrojtur në Çamëri janë akoma të pandëshkuara edhe pas 80 vjetësh.”