Juventusi rrëmbeu kreun e renditjes së Serisë A me një fitore dramatike përballë Monzës në transfertë, ku vetëm në minutat shtesë u shënuan dy gola.
Bardhezinjtë kontrolluan sfidën në pjesën e parë, ku humbën një penallti me Vlahoviç por pastaj shënuan shumë shpejt me Rabiot.
Më pas, ekipi i Alegrit filloi të zbatonte “Corto muso”, duke u munduar që të siguronte pikët e plota ndaj skuadrës që i kishte krijuar shumë probleme në edicionin e kaluar.
Dhe kur dukej se ndeshja po shkonte drejt fitores minimale të bardhezinjve, një harkim i Karbonit në zonë nuk u devijua nga askush dhe përfundoi në rrjetë.
Pa u shuar mirë festa, Juventusi ia doli të gjente golin e fitores, me Gatin i cili u kthye në bomber në zonën kundërshtare, duke vendosur fatin e sfidës në minutën e 94-t të saj,.
Kështu, Juventusi ngjitet në vendin e parë, duke kaluar me një pikë Interin i cili këtë javë ka një ndeshje të komplikuar përballë Napolit.