Kushtrim Kokolla u arrestua mbrëmjen e së enjtes nga Policia e Kosovës, si i dyshuari i tretë për vrasjen e Liridona Murselit.
Kokolla, pjesëtar i FSK-së, dyshohet të ketë bashkëpunuar me Naim Murselin, bashkëshortin e Liridonës, dhe dorasin Granit Plava.
Lidhur me këtë ka reaguar vëllai i Kushtrimit, Kanoni, i cili është anëtar i Forcave të Policisë së Kosovës.
“Jemi të shokuar! Por një gjë ta garantoj, se vëllai im në natën kritike ka qenë në shtëpi. Tjetër gjë nuk di. Vallahi nuk besoj!
Ai ka qenë shumë i lidhur me të (Liridonën). Se ne jemi shumë të lidhur familjarisht. Ne jemi rritë bashkë me Liridonën!” – ka thënë ai.
Duke përshkruar gjendjen e familjeve, ai thotë se të gjithë janë të shokuar.
“Nuk kam informata tani [flet për familjen e Liridonës]. Tri familje jemi ekstrem keq. Të shokuar. Si familjarët e Liridonës, si prindërit e Naimit, si ne, komplet jemi të shokuar.
Po n’a duket si ëndërr e s’po mundemi me besu. Përpos nëse çmendesh, se nuk ka kurrfarë arsye një njëri me e bë atë send” – ka thënë Kanon Kokolla per indexonline.








