Sot u dha pretenca e SPAK për të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit Behar Sofia. SPAK ka kërkuar dënim me nga 30 vite burg për 4 të pandehurit Bujar Leza, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Xhuljano Visha. Për Ernejt Shytin, personin që qëlloi mbi Sofinë, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, Prokuroria e Posaçme kërkoi 7 vite burg.
Shyti ka dhënë detaje para Gjykatës së Posaçme se si ishte porositur për vrasjen dhe kryerjen e krimit. I pandehuri Shyti ka rrëfyer se përveç Sofias, kishte marrë porosi edhe për dy vrasje të tjera, për të cilat nuk ishin vënë në dispozicion as fotografi dhe as emër.
Ai tha se pasi e vuri në shënjestër 66-vjeçarin Sofia, kishte studiuar për një muaj lëvizjet e tij deri ditën e ngjarjes, për realizimin e së cilës i ishin premtuar 50 milionë lekë të vjetër.
Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit të 2021, afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë. Autori, pasi e ndoqi disa metra pranë shtëpisë së tij, i doli përpara 66-vjeçarit dhe e qëlloi.