Në datë 14 Dhjetor në orën 09:00 Shkëlzen Berisha duhet të paraqitet në SPAK për të dhënë shpjegime për dosjen e Gërdecit.
Bashkë me të në këtë ditë do të jetë edhe ish-ministri Aldo Bumçi. Seanca e ditës së sotme u shty për shkak të mungesës në proces të ish ministrit Mediu, i cili e justifikoi me argumentin se ndodhet në parlament për buxhetin e vitit 2024.
Por për çfarë do të përgjigjet Shkëlzen Berisha?
Djali i Sali Berishës, Shkëlzen Bersisha është thirrur në lidhje me përfshirjen e tij në biznesin e demontimit të armëve në Gërdec, që më pas solli tragjedinë e madhe.
Ndër të tjera ai pritet që të japë llogari për një faks në të cilin është përmbajtja e letrës miratuese nga Ministria e Drejtësisë për kontratën që do të lidhej në Gërdec, një kopje të së cilës dyshohet se nga zyra e Aldo Bumçit i është dërguar privatisht Shkëlzen Berishës.
Faksi është sekuestruar nga prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Aldo Bumçi ka thënë se shënimi nuk është i tij dhe kjo është një përpjekje qesharake për t’i ikur përgjegjësisë dhe dekonspirimit të Shkëlzenit.