Ambasada amerikane në Tiranë ka kujtuar Ditën e Rinisë, që shënoi nisjen e protestave që sollën rënien e regjimit komunist. Përmes një postimi në rrjetin “X”, ambasada amerikane thekson se në këtë Ditë të Rinisë, SHBA nënvizon mbështetjen për të rinjtë shqiptarë, por dhe për të gjithë popullin. Ambasada nënvizon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krenar pranë një aleati si Shqipëria, e cila po bën hapat e radhës drejt anëtarësimit në BE.
“Sot kujtojmë rininë dhe studentët shqiptarë që nisën protestat e 8 dhjetorit 1990 që sollën rënien e regjimit komunist dhe lindjen e demokracisë. Shtetet e Bashkuara qëndruan pranë të rinjve dhe qytetarëve të Shqipërisë teksa kërkuan një vend “si pjesa tjetër e Evropës” dhe ne qëndrojmë me krenari pranë jush sot ndërsa Shqipëria bën hapin e saj të radhës drejt anëtarësimit të plotë të Bashkimit Europian”, thuhet në njoftimin e ambasadës.