Të gjithë e ndoqëm shortin e Europianit, i cili u hodh më 2 dhjetor, ku Shqipëria do të ndajë Grupin B me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë. Tri kombëtare shumë të forta, duke nisur me dy të parat që janë Kampionë Bote dhe Europe (Italia në fuqi). Po ashtu edhe Kroacia në vitet e fundit ka pasur një nivel të lartë performance duke arritur edhe në finalen e Botërorit.
Pas shortit, të shumta ishin komentet që e shoqëruan, ku përfundimi ishte se ky grup është ai i “ferrit” ose “grupi i vdekjes”, për shkak edhe të vështirësisë që ka. Megjithatë, futbolli është i bukur pasi ka të papritura dhe duhet të presim muajin qershor për të parë edhe rezultatet. Ndërkohë, deri atëherë, të shohim se cilët kanë qenë “grupet e vdekjes” nga Europiani i vitit 2000 dhe deri te ai i fundit.
“GRUPET E FERRIT”
Angli, Gjermani, Portugali dhe Rumani ishte Grupi A, i ashtuquajtur “grupi i ferrit” në Europianin e vitit 2000 që u zhvillua në Holandë dhe Belgjikë. Arriti të kalojë Portugalia dhe Rumania, duke eliminuar Anglinë dhe Gjermaninë. Katër vite më vonë, Çekia e Nedved, Poborskit, Roziçkit, Barosh, Jankulovskit dhe të tjerë kishte një ekip shumë të fortë dhe i shortuar me Gjermaninë, Holandën dhe Letoninë në vitin 2004. Grupi D u quajt si më i vështiri. Kaloi Çekia dhe Holanda. Në Euro 2008 “grupi i vdekjes” ishte C: Italia (Kampione Bote në 2006), Franca (finaliste e Botërorit) dhe Holanda me lojtarë të nivelit të lartë, si edhe Rumania.
Grupin e kaloi Holanda dhe Italia. Më tej do të kalojmë te viti 2012, kampione Spanja, por ndërkohë në grup ishte me Italinë, Kroacinë dhe Irlandën. Kroatët u renditën vetëm një pikë poshtë “axurrëve” në Grupin C, të cilën shkuan deri në finale. Në Europianin kur mori pjesë edhe Shqipëria, në Francë 2016, grupi më i vështirë ishte ai D me ekipe si: Spanjë, Kroaci, Turqi dhe Çeki. Kroatët fituan grupin dhe më tej kaloi edhe Spanja.
Teksa vijmë në Europianin e vitit 2020, i cili për shkak të pandemisë u shty dhe u zhvillua një vit më vonë dhe në vende të ndryshme. “Grupi i ferrit” ishte F dhe përbëhej nga: Gjermania, Franca, Portugalia dhe Hungaria. Me pikë shumë të ngjeshura, kaloi më tej Franca me 5 pikë, Gjermania me 4. Ndërsa Portugalia po në kuotën e katër pikëve, avancoi me tej si vendi i tretë më i mirë.
PANORAMASPORT.AL