-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Sot, Dita e Rinisë, por ku janë të rinjtë?! 570 mijë më pak në dy dekada

Kryesoret

Të rinjtë janë burimi i parë i shpresës për një të ardhme më të mirë, janë shtylla kurrizore e çdo shoqërie, përfaqësojnë më të mirën e së tashmes dhe të asaj që do të vijë. Atyre duhet t’u ofrohet perspektivë, si forma më e mirë për të ndalur hemorragjinë që ka përfshirë sot vendin

EDITORIAL- 8 Dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri, kujtohet si një moment historik, kur një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, në vitin 1990, u bënë protagonistë të kthesës së madhe historike, për ndryshimin e regjimit diktatorial.

Ishin kohë ëndrrash dhe shpresash të mëdha. Në fakt, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Vendi, shumë më i lirë se më parë, ka ecur përpara, është hapur me botën, ekonomia është rritur e diversifikuar. Të rinjtë e sotëm janë shumë më ndryshe se në atë kohë, kanë pa fund mundësi e zgjedhje se më se 30 vite më parë. Ambiciet e tyre janë shtuar, por edhe pritshmëritë për të ardhmen gjithashtu. Dhe aspiratat e të rinjve janë thelbësore për investimet e tyre në kapitalin njerëzor, zgjedhjet arsimore dhe rezultatet e tregut të punës.

Por, në këto tri dekada, realiteti nuk duket t’i jetë afruar ambicies së të rinjve. Ata, me shumicë, po rezultojnë se kanë zgjedhur t’i përmbushin ato diku tjetër. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022, grupmosha 0-24 vjeç përbënte vetëm 30% të popullsisë, nga gati 50% që ishte në 2011 (e dhëna më e hershme që është e disponueshme nga INSTAT). Në shifra janë rreth 570 mijë të rinj e fëmijë më pak se dy dekada më parë (nga 1.42 milionë në 2001 në 827 mijë në 2022- shiko grafikun).

Arsyet janë të shumta. Një prej tyre është plakja graduale e popullsisë, një tendencë deri diku normale që ka ardhur me zhvillimin e vendit dhe ndryshimin e stilit të jetesës. Efektin më të lartë po e jep emigracioni, i cili, jo vetëm që nuk është ndalur, por pas vitit 2016 është përshpejtuar, me mbi 70% të të ikurve që janë të moshës nën 24 vjeç, siç ka rezultuar nga të dhënat e azilkërkuesve që raporton Eurostat. Largohen familjet me fëmijë e krahas tyre, edhe të rinjtë që përndryshe do të kishin krijuar familje në vend. Një studim i fundit tregoi se janë rreth 17 mijë studentë që studiojnë jashtë dhe nuk kanë ndër mend të kthehen.

Shkaqet duhet të shihen të ndërlidhura zinxhir. Ato fillojnë që me sistemin e edukimit. Të dhënat e fundit të “PISA 2022”, një studim ndërkombëtar që u fillua nga OECD në 1997, gjeti se Shqipëria pozicionohet e parafundit në rajon për aftësitë e nxënësve për lëndën e matematikës, leximit dhe shkencës, të cilat janë përkeqësuar, duke lënë pas vetëm Kosovën, që është një shtet i ri dhe pa shumë traditë për vetë të kaluarën e tij historike.

Pandemia është vetëm një justifikim, pasi nga vlerësimi i ecurisë së nxënësve në matematikë krahasuar me programin PISA 2018, Shqipëria ka një rënie prej 69 pikësh, më e larta ndër 80 shtetet e testuara. Shumë familje të shtresës së mesme po largohen, duke zgjedhur të sakrifikojnë për të arsimuar fëmijët e tyre jashtë vendit. Edhe financimet e qeverisë për arsimin, duket se paraprijnë rënien e cilësisë së shkollimit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se shpenzimet për këtë sektor, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), ranë me 0.2 pikë përqindje në 2022 me bazë vjetore, duke zbritur në 2.9% të PBB, nga rreth 5% që është mesatarja e Bashkimit Europian.

Fondet për kërkim e zhvillim, një instrument që krijon mundësi për të rinjtë, janë më të ulëtat në Europë në raport me madhësinë e ekonomisë. Mungesa e investimeve në kapitalin human është një nga arsyet kryesore, që jo vetëm po demotivon të rinjtë, por dhe po ndikon negativisht në produktivitetin e ekonomisë.

Kjo na çon te faktori tjetër, ai i tregut të punës. Shqipëria vijon të ketë pagën mesatare më të ulët në Europë, që është një reflektim i modelit ekonomik të deritanishëm, ku avantazhi kryesor ka qenë krahu i lirë i fuqisë punëtore.

Vendet e reja të punës vijojnë të jenë më së shumti në sektorë të pakualifikuar, që po refuzohen nga të rinjtë e sotëm ambiciozë. Punonjësit e kualifikuar, sipas agjencive të rekrutimit dhe ekspertëve të tregut të punës, po largohen në emigracion.

Politika, e vjetër apo e re, është zhgënjimi i radhës i të rinjve. Klasa politike, e mbërthyer në skandal pas skandali, nuk po ngjall më shpresë.

Është e vërtetë që Shqipëria e sotme është më mirë se Shqipëria e fillim viteve 1990. Por, po kaq e vërtetë është që Shqipëria e sotme është shumë larg asaj që priste një student i vitit 1990.

Ndryshe nga energjia e viteve ’90, reagimi i heshtur që ata po zgjedhin është emigracioni. Justifikimi që kjo ndodh në të gjithë vendet e Europës Lindore dhe se nuk mund të konkurrojmë me pagat e Gjermanisë zbehet në momentin që krahason shifrat e ikjes në raport me popullsinë, ku Shqipëria renditet me vendet që sot janë në luftë!

Të rinjtë janë burimi i parë i shpresës për një të ardhme më të mirë, janë shtylla kurrizore e çdo shoqërie, përfaqësojnë më të mirën e së tashmes dhe të asaj që do të vijë.

Atyre duhet t’u ofrohet perspektivë, duke përfshirë punë cilësore dhe mundësi arsimimi dhe trajnimi për Shqipërinë e së ardhmes dhe të mbështetet pjesëmarrja e të rinjve në shoqëri, si forma më e mirë për të ndalur hemorragjinë që ka përfshirë sot vendin./Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit