Brenda një dite dy familje shqiptare panë shtëpitë e tyre të shkrumbohen si pasojë e zjarrit.
Një banesë u shkrumbua plotësisht mëngjesin e kësaj të shtune në lagjen e re të qytetit të Burrelit. Flakët dogjën gjithçka kishte brenda në banesë me gjithë ndërhyrjen e shpejtë të bërë nga shërbimi Zjarrfikës i Bashkisë së Matit.
Në momentin e rënies së zjarrit një nga vajzat e familjes ka qenë në gjumë, ajo është shpëtuar nga xhaxhai i saj, ndërsa shtëpia u shkrumbua totalisht.
Një rast totalisht i ngjashëm në Frrakull të Fierit, ku banesa e familjes Muçaj është djegur tërësisht si pasojë e flakëve të përhapura prej sobës.
Burrë e grua jetonin vetëm dhe ishin kthyer nga puna në fusha, ata prej lodhjes thanë se nuk e kishin ndjerë zjarrin dhe mund të rrezikonin dhe jetën.
Zjarri u shua me ndihmën e zjarrëfikësit por shtëpia ishte prej druri dhe në fund ngeli pak më shumë se asgjë.