Profeti i futbollit italian dhe atij botëror. Arrigo Sacchi, një prej emrave më të mëdhenj të historisë së trajningut komentoi Grupin B në Euro 2024, ku Shqipëria ka si kundërshtarë Italinë, Spanjën dhe Kroacinë. Njeriu që krijoi dhe fitoi gjithçka me Milanin e ëndrrave në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 dha disa këshilla për kuqezinjtë dhe e motivoi skuadrën e Sylvinho-s përpara evenimentit në Gjermani.
Shqipëri, Italia, Spanjë dhe Kroaci në grupin e Europianit?
Nuk kishte ku të shkonte më keq për Italinë. Por, e merituar, sepse ishim në vazon e fundit. Nëse mendojnë se do të jetë një ndeshje e thjeshtë, do ta paguajnë. Për fat të keq jemi mbrapa, sepse na iku një trajner dhe erdhi një tjetër, që gjithsesi është i zoti.
Çfarë mendimi keni për Shqipërinë?
Jam i sigurt që do të jetë një ndeshje e vështirë për Italinë.
Një këshillë nga një emër i madh si Arrigo Sacchi për Shqipërinë, çfarë mund të bëjë dhe si mund ta bëjë?
Të mos ketë frikë. Të provojë të luajë futboll si skuadër, jo me individë. Sekreti i futbollit është ky: një për një bën gjithmonë një. Por, një për 11 bën 11. Kjo bën ndryshimin. Milani im luante si ekip, në mbrojtje dhe në sulm. Luanim kompaktë.
Kur duhej të përballeshim me një yll si Maradona, i thosha lojtarëve: nëse e mbajmë ne topin, nuk e ka ai. Nëse topin e ka një lojtar i Napolit, duhet ti bëjmë presing, që pasimi të mos jetë i saktë. Por, edhe nëse topi shkon te Maradona, duhet ta bllokojmë me dy apo tre lojtarë. Kjo bëhet vetëm nëse skuadra luan e ngjeshur në 20 metra.
A mundtë provojmë një parashikim për ndeshjen Shqipëri-Itali?
Të fitojë ai që e meriton. Për mua, një fitore pa meritë nuk është fitore. Është e drejtë që të fitojë skuadra që do të luajë më mirë.
Po një parashikim për Europianin, cila skuadër mund ta fitojë. Franca dhe Anglia nisen si favorite…
Europiani luhet në Gjermani dhe duhet bërë kujdes. Gjermanët janë gjermanë…/ A2