Në një deklaratë për mediat shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, tha se samiti BE-Ballkani Perëndimor synon që të krijojë lidhje më të ngushta midis unionit dhe rajonit.
“Ky samit i rëndësishëm synon të krijojë lidhje më të ngushta midis BE-së dhe rajonit, anëtarëve tanë të ardhshëm të BE-së. Zgjerimi është një investim gjeo-strategjik në paqe, siguri dhe prosperitet”, tha Borrell.
Ai gjithashtu foli dhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë ku sipas Borrell të dyja vende po lëvizin përpara edhe pse me ritëm të ngadaltë.
“Ka pasur lajme të mira, të dyja palët po lëvizin ngadalë por po lëvizin dhe duhet t’i shtyjmë të ecin përpara dhe të kenë një perspektivë të qartë evropiane. Është e rëndësishme për politikën e jashtme dhe ne kemi angazhime me shumë njerëz dhe duhet të përshpejtojmë. Kemi shumë punë të institucioneve, që janë më shumë se 27” tha ai.