Lulzim Berisha kreu disa vite burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal ndërsa prej disa muajsh është në liri me kusht po nga drejtësia shqiptare. Policia e Shtetit ka shkuar në banesën e tij për ta arrestuar, por nuk e ka gjetur, pasi është arratisur. Operacioni ka qenë sekret, dyshohet në bashkëpunim me Gjermaninë.
Po kush është Lul Berisha?
Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda në vend.
Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.
Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit
17 tetor 1998
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998.
29 tetor 1998
Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, mbi bandën e Durrësit rëndon akuza e dy vrasjeve të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri.
22 gusht 1999
Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998. Ai që mbeti i plagosur një vit më parë, Marsel Sotiri, më u ekzekutua në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.
9 korrik 2000
Prokuroria akuzon bandën për një tjetër vrasje. Këtë herë për atentatin ndaj Dritan Dishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit.
14 janar 2002
Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas është ekzekutuar shtetasi Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit
2003
Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre.
26 shkurt 2005
Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Një nga ish-bashkëpuntorët më të ngushtë të Lul Berishës, Saliu u vra 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.
13 tetor 2005
9 muaj më pas ka ardhur edhe kundërpërgjigja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle, i cili akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.
30 tetor 2005
Hakmarrja e grupit të kryesuar tanimë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e Ilir Kolgjinit, mik i Lul Berishës.
Vrasja ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.
6 prill 2006
Data e mësipërme do të shënontë goditjen e një prej bandave më të rrezikshme në vend në Tetovë. Lulzim Berisha, njeriu që e drejtoi për 10 vjet me radhë “bandën e Durrësit” mes vrasjesh e trafiqesh droge dhe armësh do të arrestohej në Maqedoni pas një urdhëri ndërkombëtar arresti të lëshuar nga Shqipëria.
16 anëtarët e ish-Bandës famëkeqe në Durrës u dënuan në total me 245 vite burgim nga gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, vendim i lënë në fuqi dhe nga Apeli ndërsa pas rekursit në Gjykatën e Lartë i vetmi që s’ka mundur t’i shpëtojë burgimit për jetë ishte Indrit Dokle.
Njëri prej anëtarëve të bandës, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.