Mbrëmjen Gala të FSHF “Më të mirët 2023” e hapi Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i cili kujtoj të gjitha sukeset apo zhvillimet që ka njohur futbolli shqiptar gjatë vitit 2023.
Ai u shpreh i bindur se e ardhmja e futbollit në vendin tonë do të jetë e ndritur.
Ndër të tjera Duka shprehu dhe shumë falënderime ndaj personazheve apo institucioneve që kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimet e arritura në këtë vit.
Pjesë nga fjalimi i Armando Dukës:
Viti 2023 është një nga vitet më të suksesshëm, mbase më i suksesshmi në historinë e futbollit shqiptar, në të gjitha drejtimet: infrastrukturë, organizim, masivizim, kualitet e rezultate. Unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që kanë punuar e kontribuar për këto arritje.
Si fillim të gjithë futbollistët e futbollistet tona: Profesionistë e amatorë – për punën e kontributin e tyre, në aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare, për djersën e derdhur e për kënaqësinë e emocionet që na kanë dhuruar. Gjithashtu dhe stafet e tyre Teknike e administrative.
Drejtuesit e klubeve, Akademive e Shoqatave të cilët ia kanë kushtuar jetën futbollit.
Arbitrat të cilët kanë kontribuar e sakrifikuar vërtetë shumë për garat në vend ,por kanë marrë dhe vlerësim kombëtar e ndërkombëtar. Çdo njëri nga ne, nëse jo krenar, ndihet mirë kur sheh çdo javë në kompeticionet europiane emra arbitrash shqiptarë. Sot numërojmë 22 arbitra shqiptarë me stemën e FIFA.
Çdo ditë që kalon, aq më shumë e ndjej suksesin e Kombëtares, dhe aq më shumë i jam falënderues futbollistëve, Sylvios, Dorit, Zabaletes, Bulkut, Salihit, Bozhiqit, e gjithë stafit teknik e administrativ. Për atë që na kanë dhuruar. Për krenarinë që na kanë dhënë.