Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije ditën e sotme se kryetari i bashkisë Kuçovë Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar nga Gjykata e Janinës për kalim të paligjshëm të kufirit grek.
Kjo sipas SPAK bazohet në prova dhe Hajdari do të dërgohet për gjykim pasi në formularin e dekriminalizimit nuk e ka cituar këtë fakt të rëndësishëm. Ai akuzohet për “falsifikim vulash, stampash dhe formularësh” më shumë se një herë.
Kujtojmë se ishte koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” ai që e bëri animimin për kryebashkiakun. Ky i fundit ka fituar zgjedhjet në këtë qytet në vitin 2019 dhe po ashtu mori mandatin e dytë në krye të bashkisë dhe këtë vit.
“Në përmbajtjen e formularit të vetëdeklarimit të datës 26.03.2023, subjekti deklarues, shtetasi Kreshnik Hajdari ka pohuar se nuk ka qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj, për kryerjen e një vepre penale, si dhe nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj.
Nga aktet e administruara, provat e marra nëpërmjet letërporosisë nga Autoritetet Greke të Drejtësisë, rezulton se shtetasi Kreshnik Hajdari është i dënuar me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë/Gjykata Penale me Një Anëtar, Nr.3286/23-6-1999, me masën riedukuese të qortimit, për shkeljet: Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse”, thotë Prokuroria në njoftim.
Vlen të përmendim se kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi e ka cilësuar më herët këtë vepër penale si “jo pengesë për të marrë një funksion publik”. Tani mbetet në dorë të organeve të drejtësisë vendimi final për kryebashkiakun.