Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë në këtë prag Krishtlindjeje duke kërkuar që ta vlerësojnë durimin jo si dobësi, por si një fuqi mistike.
Për Kryepeshkopin Anastas, durimi shndërron edhe dobësitë më të mëdha të kësaj jete në shpirt luftarak, dhe na ndihmon të përballojmë me kthjelltësi e fuqi të gjitha sprovat që ngrihen para nesh. “Le të ecim përpara me durim në betejën që na pret…”. Ishte mesazhi i tij.
Në mesazhin e Kryepeshkopit në këtë prag festash gjejnë hapësirë edhe konfliktet e luftërat që kanë mbërthyer jo pak botën. Duke i cilësuar ato si të paimagjinueshme, Kryepeshkopi bën thirrje për ndalimin e përplasjeve të përgjakshme, në mënyrë që bota të mbizotërohet nga paqja.
“Çdo epokë ka trazirat, konfliktet ushtarake, katastrofat, tragjeditë, skamjen, lëndimin shpirtëror, dëshpërimin e vet. Epoka jonë po tronditet nga luftra të tejzgjatura mizore, krejt të paimagjinueshme, në shumë skaje të tokës, por edhe afër nesh, në Ukrainë dhe në Palestinë. Kundërshtitë dhe përçarjet po mundojnë edhe mjediset kishtare.
Çdo popull ka problemet e tij të shumëllojta. Çdo bashkësi, çdo njeri përjeton çaste trishtimi të thellë dhe dhimbjeje. Në të gjitha rastet, udhërrëfyes i domosdoshëm mbetet durimi plot shpresë. Le ta shtojmë përgjërimin tonë për ndalimin e përplasjeve vrastare dhe të krizave të ndryshme shoqërore, që kudo në tokë të mbretërojë paqja.
Le të mundohemi që, “nëpërmjet durimit dhe ngushëllimit, që burojnë nga Shkrimet”, të forcojmë mes nesh njëmendësinë dhe bashkëpunimin harmonik, duke patur më tepër shpresë brenda nesh”.