Autoritetet në Kosovë kanë ngritur alarmin për sulme të reja të mundshme në veri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti tha, se Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës së bashku me grupin që kreu sulmin e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues.
Në një konferencë në fundjavë, duke u bazuar në informacione të inteligjencës kosovare, Kurti përmendi disa lokacione në Serbi, ku grupi sipas tij, po kryen trajnime, përfshirë poligone ushtarake të Serbisë. Pretendimet e kryeministrit të Kosovës u hodhën menjëherë poshtë nga Ministria Serbe e Mbrojtjes. Kryeministri kosovar nuk ofroi dëshmi, por sipas Kurtit, “Milan Radoiçiç mban takime të rregullta me inteligjencën serbe dhe se pjesëtarët e grupit të tij, paguhen 2.000 euro në muaj”.
“Kumtimi i urdhrit për sulmin në Banjskë, ishte dhënë në ambientet e kompanisë Novi Pazar Put, në pronësi të Zvonko dhe Zharko Vesellinoviç, që kanë qenë partnerë biznesi të Radoçiçit. Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiç u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në Kosovë, bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste Mbrojtja Civile”, tha kryeministri Kurti. Duke zbuluar të dhëna, kryeministri kosovar tha se “Radoiçiç është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të inteligjencës serbe (BIA). (Lexo ketu shkrimin e plote).