Më 18 shtator, një grup inspektimi i Avokatit të Popullit vëzhgoi dy pamje të kundërta brenda burgut të Durrësit. Në godinën A rrinin të burgosurit e zakonshëm, të cilët ankoheshin për lagështirë në mure, dushe të amortizuara dhe dyshekë të vjetër e të konsumuar.
Ndërsa në katin e dytë të godinës B ishin akomoduar një grup ish-zyrtarësh të lartë të Partisë Socialiste, të cilët akuzohen për vepra penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Ndryshe nga të tjerët, ata gëzonin kushte dhe privilegje luksi.
Dhomat e tyre ishin të investuara, të lyera dhe të arreduara me krevatë të rinj, pajisje elektroshtëpiake dhe dushe të personalizuara. Në sektorin e tyre kishte gjithashtu një palestër për aktivitete sportive, një kuzhinë private dhe një mini-fushë bashkohore futbolli – donacion i Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Brenda këtij sektori ishte përshtatur një dhomë banimi si ambient gatimi, i cili ishte i pajisur me sobë, frigoriferë, raft për mbajtjen e ushqimeve, tavolinë ngrënieje dhe enë kuzhine,” thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit, që iu dorëzua drejtuesve të Burgjeve më 20 dhjetor.
Të burgosurit VIP të burgut të Durrësit, të tillë si ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako apo ish-kreu jetëgjatë i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako simbolizojnë jashtë burgjeve shembujt e luftës kundër pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Por brenda një sistemi që duhet të garantojë trajtim të barabartë dhe pa diskriminim mes të burgosurve, ish-zyrtarët socialistë ishin më të barabartë se të tjerët. Dhe ata nuk janë të vetmit. (Lexo më shumë)