Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë paralajmëroi largimin e Jorgo Goros nga bashkia e Himarës si rrugë për zgjidhjen e ngërçit deri në vendimin e formës së prerë për Fredi Belerin. I pyetur për emrin e ri që do të zgjidhet, a po negociohet me Greqinë?
Ministri i Jashtëm Igli Hasani deklaroi se “ka bisedime, negociata, ide, angazhim serioz nga dy palët për të gjetur një zgjidhje, e cila do të japë një dinamikë të re për vitin 2024.
Ne po vazhdojmë të gjitha përpjekjet tona që angazhimi i Shqipërisë në raport me rrugën drejt BE-së të jetë sa më i qartë. Detyrimet të jenë të realizuara. Shpresojmë që në fillim të 2024 konferenca e dytë ndërqeveritare të realizohet. Problemet të anashkalohen” tha ai.
Pra emri do të zgjidhet me konsensusin e Greqisë? “Asnjë nga këto nuk janë të vërteta, apo të rreme, kjo është një hipotezë që e ngritët. Po shihen të gjitha hapat që do të na sjellin në një situatë për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme” tha ai për mediat.
Ministri u pyet edhe për situatën në Kosovë dhe sulmet e paralajmëruara Serbia. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm. Një gjë është e qartë dhe konstante kushdo që të jetë kryeministër apo ministër i Jashtëm në Prishtinë dhe Tiranë, se Kosova nuk do të ketë aleatë më të mirë se Shqipëria dhe SHBA dhe se sovraniteti i saj ruhet nga NATO”.
Për opozitën kishte një mesazh të qartë. “Ne do të vazhdojmë që të thellojmë reformat dhe angazhimet pa asnjë kushtëzim dhe pa bllokuar perspektivën Europiane të shqiptarëve”.