I njohur si “Ujku polar”, regjimi i ashpër i burgut, të cilit i është nënshtruar politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, është vend ku uji është instrument torture.
“Në dimër, të burgosurit mund të dërgohen lehtësisht me rroba të lehta në oborrin e burgut” ka thënë aktivistja për të drejta të të burgosurve, Olga Romanova, duke e marrë për bazë një dëshmi të dhënë prej një burri që është liruar prej burgut “Ujku polar”, të njohur zyrtarisht si IK-3, më 2018.
“Ata janë mbajtur në grup dhe nuk janë lejuar që t’i bëjnë bashkë duart për t’i ngrohur. Ata kanë qëndruar 30-40 minuta pa lëvizur kur temperatura ka qenë -45 gradë Celsius, apo më e ulët. Nëse një person ka lëvizur, i gjithë grupi është spërkatur me ujë.
“Në pranverë është tortura e re”, ka thënë ajo.
“Mushkonja dhe insektet tjera. Nëse dikush lëviz një dorë, zhytet në ujë. Ata më pas mund ta zhysin gjithë grupin në ujë”.
Pasi ka kaluar 19 ditë pa asnjë komunikim, gjatë transferimit nga burgu në rajonin Vlladimir, Navalny e ka konfirmuar arritjen në IK-3 – zonë në veri të Siberisë – më 26 dhjetor, një ditë pasi avokatët kanë arritur ta vizitojnë.
Navalny është duke vuajtur një dënim prej 19 vjetësh nën akuzat për ekstremizëm.
Ai dhe mbështetësit e tij besojnë se kritiku i Kremlinit po persekutohet me qëllim të ndaljes së aktivitetit politik.
Grupi ndërkombëtar për të drejta të njeriut, Amnesty International, grupi i ndaluar rus për të drejta të njeriut, Memorial, dhe të tjerët, e konsiderojnë atë si të burgosur politik.