Zyrtarët meksikanë dhe amerikanë ranë dakord për të mbajtur të hapura pikat kufitare, tha të enjten presidenti meksikan pasi disa kalime kryesore hekurudhore u mbyllën përkohësisht për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që mbërrinin në kufirin Meksikë – SHBA.
Marrëveshja, sipas presidentit Lopez Obrador, u arrit gjatë takimit të sotëm mes delegacionit amerikan që udhëhiqej nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken me Presidentin meksikan në kryeqytetin e Meksikës.
Shtetet e Bashkuara po bëjnë presion që Meksika të ndalojë fluksin e dhjetra mijëra migrantëve që po vazhdojnë rrugëtimin nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore drejt Shteteve të Bashkuara përmes Meksikës.
Mijëra emigrantë, që synojnë të arrijnë në Shtetet e Bashkuara, i kaluan Krishtlindjet duke ecur drejt kufirit SHBA-Meksikë.
Kryesisht nga Amerika Qendrore dhe Jugore, ata ishin mbledhur për muaj të tërë në Tapachula, një qytet në shtetin juglindor të Meksikës, Chiapas, pranë kufirit me Guatemalën. Kjo ishte pika e nisjes për udhëtimin e karvanit në veri.
“Këtu ka fëmijë dhe gra me lëndime në këmbë, të dehidratuara. Është e vështirë të kërkosh ëndrrën amerikane… Ajo që ne kërkojmë është që qeveria të paktën të na japë leje për të kaluar”, thotë Rosa Alegria, migrante nga El Salvadori.
Karvani u nis vetëm disa ditë përpara takimit që u mbajt sot në kryeqytetin meksikan mes delegacionit amerikan që udhëhiqej nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken dhe Presidentit Lopez Obrador.
Zoti Lopez Obrador njoftoi se gjatë takimit u arrit marrëveshja për rihapjen e kufirit SHBA-Meksikë i cili u mbyll me qëllim parandalimin e fluksit të lartë të migrantëve drejt Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Lopez Obrador tha se takimet e së mërkurës me delegacionin amerikan, ishin “të drejtpërdrejta” për shkak të rëndësisë për tregtinë kufitare për të dy vendet./ VOA
Artikulli i plotë këtu.