Në lidhje me deklaratën e kreut të etnitetit serb në Bosnjë Hercegovinë, Milorad Dodik për shkëputje, ka reaguar dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë duke përsëritur qëndrimin që Republika Srpska në Bosnje nuk i lejohet shkëputja.
SHBA thekson se do të veprojë ndaj çdo përpjekjeje që cënon marrëveshjen e Deytonit.
“Republika Srpska është një ent brenda shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës. Është pjesë përbërëse e vendit, por as Republika Srpska dhe as Federata e BeH nuk ekzistojnë jashtë Bosnje-Hercegovinës. Kushtetuta e BeH nuk parashikon të drejtën e shkëputjes së një njësie ose ndonjë njësie tjetër nënshtetërore. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se do të veprojnë për të kundërshtuar veprimet anti-Dejton, dhe shkëputja është një veprim kundër Dejtonit. Milorad Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë, ndërkohë që ai e shtyn BeH-në drejt konfliktit”, shkruan në rrjetin “X” ambasada e SHBA-ve në Sarajevë.
Milorad Dodik, ka paralajmëruar një konflikt të ri në Ballkan. Në intervistë televizive, lideri radikal i Republikës Sërpska, që është sanksionuar nga SHBA për korrupsion, tha se shumë shpejt serbët e Bosnjës mund të daklarojnë shkëputjen si entitet nga Bosnje-Hercegovina.
Sipas tij, edhe nëse ky vendim do të sjellë reagime nga SHBA dhe BE, miqtë e Republikës Sërpska nuk do të lejojnë që të ketë ndërhyrje ushtarake.