Kryegjyshi botëror i Bektashinjve, Haxhi Dedë Baba Edmond Ibrahimaj ka bërë një mesazh urimi për vitin e ri 2024.
Në urimin e tij, ai shkruan që nisja e këtij viti të jetë një çast reflektimi për rritjen e dashurisë dhe besimit.
Gjithashtu në këtë urim ai uron për më shumë paqe dhe dashuri.
“Më tepër se sa një pikë ndërrim të një stafete kohore, ikja e një viti dhe nisja e Vitit të Ri 2024, le të jetë për të gjithë një çast reflektimi për rritjen e dashurisë dhe besimit tek i Madhi Zot, për më shumë paqe, mirësi e harmoni mes njerëzve, për solidaritet njerëzor e bamirësi, për bashkim zemrash e forcave në funksion të së mirës. Viti i Ri është si një faqe e re e bardhë e librit të jetës, për të nisur nga e para çdo marrëdhënie vëllazërore, çdo situatë e ngjarje, që Zoti na e sjell e na bekon prandaj, lërini inatet e marazet, xhelozitë e mëritë, egon dhe kryelartësinë, por prisni me durim e buzëqeshje çdo të mirë e begati që Zoti do t’ju sjellë!
Urime për një Vit të Ri me shëndet, të paqtë e të begatë! Paçi vetëm lumturi e begati në familjet tuaja! Zoti u bekoftë! Amin!,” thuhet në urimin e tij.