Kryeministri Edi Rama sikur e ka bërë traditë në dekadën e fundit sot në mesditë ka dalë përpara mediave për të bërë bilancin e vitit që po mbyllet. U fokusua te turizmi dhe të ardhurat nga ky sektor. Rritja ekonomike. Investimet e huaja, por edhe rritja e pagave për vitin që vjen.
“3.2 miliardë Euro të hyra vetëm në 9 mujorin e parë nga turizmi. Është një shifër shumë e lartë dhe e pa krahasuar me vitet e mëparshme. Turistët janë një nga kanalet më të rëndësishme të rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Turizmi konsiderohet pjesë e të gjithë zërave të eksportit.
Investimet e huaja direkte kanë arritur mbi 1 miliard Euro, mbi 60 milionë Euro më shumë se vitin e shkuar. Paga minimale u rrit në vlerën e 40 mijë lekëve. Në qershor do të ketë një tjetër rritje e konsiderueshme, ku mësuesit, ushtarakët, mjekët, policët dhe të gjithë punonjësit e administratës do të kenë një rritje që do ta çojë pagën mesatare në sektorin publik në 900 Euro” tha Rama.