Ka nisur sot zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.
Tatimi 15% për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri 14,000,000 lekë në vit sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale ndaj totalit të të ardhurave vjetore.
Për profesionet e lira të përcaktuar sipas listës të vendimit “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë në vit shpenzimet e zbritshme fikse të padeklaruara në kontabilitet njihen në vlerën 30%.
Si do të llogaritet tatimi 15% për profesionet e lira me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë
Shembulli 1
Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 1,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 660,000 lekë fitim të deklaruar në vit. Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 1,000,000 lekë është 99,000 lekë.
Shembulli 2
Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 8,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 5,560,000 lekë fitim të deklaruar. Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 8,000,000 lekë është 834,000 lekë.
Shembulli 3
Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 10,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 6,960,000 lekë fitim të deklaruar. Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 10,000,000 lekë është 1,044,000 lekë.
Si do të llogaritet tatimi 23% për profesionet e lira me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë
Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pambajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.