Në radhët e Partisë Liberale Gjermane (FDP) ka muaj që zjen. Partneri më i vogël i koalicionit në qeverinë gjermane pësoi disa dështime njëri pas tjetrit në zgjedhjet rajonale dhe ato të landeve në vitin 2022 dhe 2023. Dhe për këtë politikanët lokalë fajësojnë politikën federale. Sipas sondazheve tre të katërtat e gjermanëve janë të pakënaqur me punën e koalicionit qeveritar të socialdemokratëve (SPD), të të Gjelbërve dhe të FDP-së.
Partia liberale FDP organizoi madje edhe një sondazh në radhët e anëtarëve të saj, gjatë të cilit rreth 48 për qind u shpreh pro largimit sa më të shpejtë të kësaj partie nga koalicioni qeveritar i cili nuk gëzon simpati në radhët e popullsisë.
Pakënaqësi e madhe
Viti 2024 mund të jetë viti më i vështirë për qeverinë tripartiake gjermane. Më 9 qershor zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, kurse në shtator zhvillohen zgjedhjet për parlamentet e landeve në Saksoni, Turingji dhe Brandenburg. Po ashtu në nëntë nga 16 landet federale zhvillohen zgjedhje lokale.
Në Saksoni, Turingji dhe Brandenburg, forca më e fortë konsiderohet partia Alternativa për Gjermaninë (AfD), të cilën Zyra për Mbrojtjen Kushtetuese e klasifikon pjesërisht si ekstremiste të djathtë. Shance aty duket se ka vetëm partia kristian-demokrate CDU. Kurse SPD, të Gjelbrit dhe FDP-ja e kanë humbur në mënyrë dramatike besimin e zgjedhësve. Në Saksoni u publikua në fillim të vitit një sondazh sipas të cilit SPD-ja dhe FDP-ja nuk do të arrinin të merrnin votat e nevojshme për të hyrë në parlamentin e landit, kurse të Gjelbërit mund të fitonin me shumë zor minimumin e nevojshëm (Lexo KETU shkrimin e plote).