Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në Serbi i nisi presidentit Aleksandër Vuçiç propozimin për rikthimin e detyrimit për të shërbyer bë ushtri deri në 4 muaj njoftoi Ministria e Mbrojtjes serbe.
“Propozimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë vjen pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral, i cili imponoi nevojën e përshtatjes së modelit të plotësimit të ushtrisë që do të mundësonte forcimin e potencialit të përgjithshëm, rekrutim dhe trajnim të një numri më të madh të qytetarëve për mbrojtjen e vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet kjo iniciativë është bërë me qëllim për të rritur aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç ka paralajmëruar fillimin e procedurës parlamentare për vendimin e anuluar për pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rishikimin e ligjit që rregullon këtë detyrim.
Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.