Policia e Sarandës parandaloi një ngjarje të rëndë, pasi katër persona që ishin armatosur dhe bërë gati për rrëmbimin e një 49-vjeçari për motive të dobëta u arrestuan në flagrancë.
Paraprakisht dyshohet se një borxh i pakthyer mund t’i kishte kushtuar shumë 49-vjeçarit Kelmendi Dolanaku, për të cilin autorët kishin përgatitur një rrëmbim të enjten. Dolanaku dyshohet se u kishte marrë të arrestuarve një shumë parash dhe nuk ia kishte kthyer.
Për këtë arsye, Juljan Brinja, Sandri Brinja, Gjergji Prenga dhe Angelos kishin përgatitur planin për ta rrëmbyer nën kërcënimin e armës dhe për ta bindur me forcë që t’u kthente paratë.
Ngjarja u parandalua nga policia, që ndaloi makinën tip “BMW” në lagjen numër 1 të Sarandës, me të cilën lëviznin autorët dhe brenda saj gjetën armë zjarri dhe litarë.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili theksoi faktin se Policia duhet të bashkëpunojë me qytetarët dhe do të sigurojë inteligjencë policore me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Do rrëmbenin një 49-vjeçar, policia vë në pranga 4 të rinjtë në Sarandë