Disa kompani anijesh transporti aktualisht po e shmangin lundrimin përmes ngushticës pranë Jemenit, sepse rebelët huti të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë sulmuar vazhdimisht anijet që udhëtojnë përmes ngushticës Bab al-Mandeb gjatë javëve të fundit.
Në rrugën e tyre drejt Kanalit të Suezit të gjitha anijet duhet të kalojnë përmes kësaj ngushtice detare. Bab ach-Madneb ndan Gadishullin Arabik nga Afrika dhe lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit – dhe kështu me Oqeanin Indian. Fokusi i sulmeve të milicëve huti janë anijet që dyshohet se kanë lidhje me Izraelin.
Si përgjigje, SHBA-të formuan koalicionin ushtarak ndërkombëtar OPG (Operacioni Prosperity Guardian) disa ditë para Krishtlindjeve për të siguruar transportin në Detin e Kuq.
Më 30 dhjetor 2023, marina amerikane fundosi disa varka që i përkisnin rebelëve Huti që sulmuan anijen daneze të kontejnerëve Maersk Hangzhou. Kompania e madhe e transportit detar Maersk pezulloi të gjitha udhëtimet në Detin e Kuq për 48 orë të dielën, por tani po shqyrton përdorimin e itinerarit përsëri.
Nëse anijet nuk kalojnë përmes Kanalit të Suezit, në rrugën e tyre nga Lindja e Largët në Evropë, atëherë ato duhet të përshkojnë të gjithë kontinentin afrikan.
Ky është një udhëtim më i gjatë për një javë, afërsisht 3.500 milje detare (6.482 kilometra) udhëtim më shumë.
Kanali i Suezit, i cili lidh Detin e Kuq me Mesdheun, është rruga më e shkurtër midis Evropës dhe Azisë. Rreth 12 për qind e trafikut global të transportit detar kalon përmes kësaj rruge ujore.
Shpenzimet e mëdha
Nëse kriza zvarritet për një periudhë më të gjatë, çmimet që vetë konsumatorët duhet të paguajnë për mallrat e importuara mund të rriten edhe më shumë.
“Nëse marrim për shembull një udhëtim vajtje-ardhje nga Shangai në Roterdam, vetëm një devijim përmes Kepit të Shpresës së Mirë rrit kostot e karburantit deri në 1 milion dollarë”, tha për DW Peter Sand, kryeanalist në kompaninë e analizës së tregut me qendër në Kopenhagë, Xenet.”
Dërgesat e naftës janë në rrezik
Rreth nëntë për qind e të gjitha anijeve që transportojnë naftë dhe gaz lundrojnë nëpër Detin e Kuq. Cisternat e naftës ishin gjithashtu në shënjestër të rebelëve Houti. Kompania britanike e naftës BP është një nga kompanitë që shmang këtë rrugë që nga 18 dhjetori.
“Ne po shohim këtu dhe tani që furnizimet me energji – qoftë naftë, qymyr apo gaz – janë prekur thjesht për shkak të dimrit të hemisferës veriore”, tha analisti Sand. Kjo mund të ketë një efekt domino në çmimet e energjisë.
Ehsan Khoman, analisti kryesor i tregut të mallrave në bankën kryesore japoneze MUFG, ka një mendim të ndryshëm. Ai beson se sulmet nga rebelët Huti nuk do të kenë një efekt të qëndrueshëm në çmimet e energjisë. “Devijimi i anijeve prish zinxhirët e furnizimit, por jo prodhimin. /DW/